KF LIRIAFaqja Zyrtare

Intervistë me Behajdin Gjinalin

Behajdin Gjinali, lind.30.08.1961 në Prizren, ka pasur një karrierë të bujshme.Fillimishtë me skuadrën e ‘Lirisë’ (1979/84) dhe në fund të karrierës (1987/91), pastaj të ‘Prishtinës’ 1984/86 dhe ‘Goshk-Jugut’ (Kroaci) (1986/87).

Ishte pjesë e gjeneratës së artë të KF ‘Liria’, që ishte pjesë e Ligës ‘B’,   të ish-Jugosllavisë (1987/88). Ai, me krenari rrëfen karrierën dhe kujtimet nëpër vite, por dhe me nostalgji për disa transfere të parealizuara jashtë Kosovës..Në stinorin 2006/07, ka fituar Kupën e Kosovës me “Lirinë’. Në këtë stinor , ‘Liria’, bie nga Superliga.Aktualishtë, është trajner në Akademinë e KF ‘Liria’.
                                   
“Karierën time futbollistike e kam filluar si junior në ekipin e ‘P.Exportit’ në vitin 1977, nën drejtimin e Ali Bushit dhe Refik Vërmicës.Fillimisht,  luaja në pozicionin e alos së djathtë, një sezon. Sezonin e dytë për shkak të mungesës së qendërmbrojtësit, pas disa testimeve të lojtarëve, trajneri ishte i mendimit se unë isha më i dobishmi në atë pozicion.Që nga atëherë, unë kam luajtur në mbrojtje, por duke mos i humbur edhe aftësitë e një sulmuesi.

Në janar të vitit 1979 kalova në ekipin e parë të KF”Liria”. Në vitin 1983 në një ndeshje miqësore me ekipin e Partizanit të Beogradit në Prizren, kam qenë i vëzhguar nga ana e stafit të tyre. Ata, kanë mbetur të kënaqur nga performansa ime me ç’rast më kanë ofruar transferim në ekipin e Partizanit në fund të sezonit. Të gjithë anëtarët e kryesisë së klubit kanë qenë të pajtimit që të kaloja në këtë ekip, përveç kryetarit të klubit Xhemo Goxha. Megjithëse, është nënshkruar një parakontratë nga i njëjti person që pas gjashtë muajve të kaloja në këtë klub, përsëri nuk u realizua transferi, përshkak të insistimit të tij që të kaloj në ekipin e ‘Prishtinës’.

Në Janar të vitit 1984 kalova në ekipin e KF ‘Prishtina’, që garonte në Ligën e Parë të Jugosllavisë. Në dy vitet e kaluara në këtë klub, atë e kanë udhëhequr Fuad Muzuroviç, Vukashin Vishnjevac, Ajet Shosholli dhe Mirosllav Çiro Blazheviç.

Pas përfundit të kontratës sime dy vjeçare me Prishtinën, në janar të vitit 1986 kalova në ekipin  ‘Goshk-Jug’ të Dubrovnikut. Mbrenda një viti të kaluar në këtë klub, atë e kanë udhëhequr trejnerët: Marjan Brnçiç, Mario Boniç dhe D.Spasojeviq.
Pas një gjysëm sezoni të kaluar në këtë klub, mora një ofertë nga ekipi ‘Gençlerbirligi’ i Turqisë dhe pas kontakteve që pata me udhëheqësin e këtij klubi, transferimi nuk u realizua, pasi që kushtet në të cilën gjendej ky klub ishin të dobëta në atë kohë.Gjatë qëndrimit tim në Goshk-Jug, mora edhe një ofertë nga Veli Vraniçi ( ish-drejtor i KF”Prishtina”) për të kaluar në ‘Fenerbahçe’të Turqisë, por edhe ky tranferim nuk u realizua për shkaqe të panjohura për mua.

Në janar të vitit 1987 u ktheva në KF ‘Liria’ në Prizren, ku luajta deri në vitin 1991. Në këto vite KF ‘Liria’, arriti rezultate dhe suksese më të larta në historinë e saj. Në sezonin 1987/88 arritëm që të jemi ndër tetë (8) ekipet më të mira në kupën e Jugoslavisë së atëhershme, me ç’rast kemi eliminuar ekipin Hajduk-Split, Radniçkin e Nishit. Ndërsa, u eliminuam nga Velezhi i Mostarit. Në këtë sezon arritëm edhe një sukses tjetër, dy ligat e dyta u bashkuan për të formuar Ligën e Dytë Unike, e quajtur “Liga e Parë B”, në të cilën ligë garuam me sukses. Në këtë kohë ekipin e “Lirisë”e ka udhëhequr trejneri Sllobodan Dogançiç, Gafur Kaçaniku dhe Shukri Gorani.

Në sezonin 1990-1991 pranova ofertën më të mirë në karierën time futbollistike nga ekipi ‘Ankaragygjy’ i Turqisë. Pas një testimi që pata, nënshkrova një kontratë dy vjeçare me këtë klub. Edhe këtë here, hasa në pengesë nga ana e kryetarit të kubit, Agim Bytyqi, i cili edhe pas insistimit dhe ndërhyrjes së shumë personaliteteve, nuk më dha lejen për të kaluar në këtë klub. Kontrata ime kishte skaduar dhe përveç kësaj kam patur edhe një aneks kontratë me vetë nënshkrimin e kryetarit, por prap se prap ajo nuk është marr në konsideratë. Me një dëshprim dhe zhgënjim nga mosrealizimi i këtij transferimi, unë e përfundova para kohe karierën time futbollistike edhe pse kam mundur të luaj edhe disa vite.                       

Pas vendosjes së masave të dhunshme edhe në sport dhe pas formimit të ligës paralele të futbollit në Kosovë, Rexhep Gaxholli dhe unë ishim trejnerë të parë që e udhëheqëm ekipin e ‘Lirisë’.

Prej vitit 2000-2002 vijova ‘Shkollën e lartë për trejnerë’, që u organizua në kuadër të ‘Fakultetit për Kulturë Fizike’ në Prishtinë nën drejtimin e prof. Enver Xhinolli. Ky ishte organizimi i parë i një shkolle të tillë në Kosovë.Pas përfundimit të shkollës, në qershor të vitit 2002 kryesia e KF”Liria “ më ofroj të punoj me ekipin e parë si trajner ndihmës i Gafurr Kaqanikut.

Në vitin 2003  kam qëndruar dy herë në Antalja të Turqisë, ku krijova raporte shumë të mira me trajnerin e mirënjohur Ersun Janall, që një kohë udhëhoqi edhe kombëtaren e Turqisë. Për këtë kohë unë përfitova shumë në aspektin e përfitimit të njohurisë rreth mënyrës së përgaditjes së një ekipi me metoda më bashkohore që përdoren sot në futboll.

Pas kthimit nga Turqia m’u ofrua ta udhëheqi ekipin e Lirisë në Ligën e Dytë, në sezonin 2003/2004. Pas një riorganizimi të ekipit arritëm që ta kthejmë Lirinë në elitë, brenda një viti. Pasi që nuk arrita një marrëveshje me udhëheqësinë e re, unë u largova.

Në vitin 2007, në gjysëm sezonin e dytë, përsëri m’u ofrua ta udhëheqi ekipin e ‘Lirisë’, kur ishte në pozitë shumë të palakmuar në tabelën e klasifikimit.
Në këtë vit arritëm edhe në finale të kupës së Kosovës, të cilën e fituam pas ekzekutimit të penalltive kundër ‘Flamurtarit’.Aktualishtë jam trajner në Akademinë e’ Lirisë’, tha për ueb faqen e klubit, Behajdin Gjinali.   

Intervistoi: Bashkim Kajdomçaj

Tabela e klasifikimit

  • 1. Flamurtari9 Pike
  • 2. Llapi6 Pike
  • 3. Prishtina6 Pike
  • 4. Gjilani6 Pike
  • 5. Feronikeli5 Pike
  • 6. Drenica4 Pike
  • 7. Drita3 Pike
  • 8. Liria3 Pike
  • 9. Ballkani3 Pike
  • 10. Ferizaj3 Pike
  • 11. Trepça 891 Pike
  • 12. KEK-u0 Pike

Video

Foto

Linqe me Rëndësi